Burime edukative
Biblioteka e njohurive.

Materialet edukative kanë qëllim informues dhe nuk e zëvendësojnë vlerësimin profesional individual. Për çdo shqetësim konkret, konsultohuni me një logoped ose me mjekun tuaj.
Zhvillimi i gjuhës sipas moshës
Si zhvillohet komunikimi, hap pas hapi.
Zgjidhni moshën për të parë shembuj të aftësive të komunikimit. Ky udhërrëfyes ndihmon të vëreni ecurinë, por nuk zëvendëson vlerësimin profesional.
Shembuj të aftësive të komunikimit që shumica e fëmijëve i shfaqin deri në këtë moshë.
- Tregon me gisht gjërat në libër kur e pyesni
- Thotë të paktën dy fjalë së bashku, si “edhe qumësht”
- Tregon me gisht të paktën dy pjesë të trupit kur e pyesni
- Përdor më shumë gjeste se përshëndetja dhe treguesi, si puthja me dorë ose tundja e kokës për “po”
Shembujt bazohen në pikat e zhvillimit të publikuara nga CDC (2022), të cilat përshkruajnë aftësi që shumica e fëmijëve, rreth 75% e tyre, i shfaqin deri në moshën përkatëse. Çdo fëmijë zhvillohet me ritmin e vet. Ky informacion ka karakter edukativ dhe nuk është mjet diagnostikues.
Nëse fëmija nuk i shfaq shumicën e këtyre aftësive, ose humb aftësi që i kishte më parë, flisni me pediatrin ose me një logoped. Fëmijët që rriten me dy ose më shumë gjuhë ndjekin në përgjithësi të njëjtat faza zhvillimi.
Shenjat që kërkojnë vlerësim profesional
Kur ia vlen të konsultoheni?
Te fëmijët
Ia vlen të konsultoheni me një profesionist kur vëreni, për shembull:
- Nuk reagon ndaj tingujve ose kur e thërrisni në emër.
- Nuk përdor gjeste, si përshëndetja me dorë ose treguesi me gisht, rreth moshës 12 deri në 15 muaj.
- Nuk thotë fjalë të veçanta rreth moshës 15 deri në 18 muaj.
- Nuk lidh dy fjalë së bashku rreth moshës 2 vjeç.
- Të folurit e tij kuptohet me vështirësi nga të tjerët pas moshës 3 vjeç.
- Përsëritje, zgjatje ose bllokime të shpeshta gjatë të folurit, të shoqëruara me tension ose shqetësim.
- Vështirësi të vazhdueshme në kuptimin e udhëzimeve, në tregimin e ngjarjeve ose në ndërveprimin me bashkëmoshatarët.
Te të rriturit
Një vlerësim profesional rekomandohet kur shfaqen, për shembull:
- Vështirësi në gjetjen e fjalëve, në kuptim, në lexim ose në shkrim pas një sëmundjeje neurologjike.
- Të folur i paqartë, i ngadalësuar ose i lodhshëm.
- Ngjirje ose ndryshim i zërit që vazhdon më shumë se tri javë.
- Kollitje ose mbytje gjatë ngrënies apo pirjes, ose ndjesia se ushqimi ngec.
- Belbëzim që ndikon në punë, në mësim ose në jetën shoqërore.
Në çdo moshë: humbja e aftësive gjuhësore ose sociale që ishin fituar më parë kërkon vëmendje profesionale pa vonesë.
Ndryshimet e papritura në të folur ose në kuptim, sidomos kur shoqërohen me dobësi të njërës anë të fytyrës ose të trupit, kërkojnë ndihmë mjekësore urgjente.
Ushtrime dhe aktivitete komunikimi
Ide për ta mbështetur komunikimin në shtëpi.
Strategji të thjeshta për rutinat e përditshme. Ato e mbështesin komunikimin në përgjithësi dhe nuk e zëvendësojnë planin e individualizuar që përcaktohet pas vlerësimit.
Ndiqni interesin e fëmijës
Vëreni çfarë e tërheq vëmendjen e fëmijës dhe flisni për atë që po shikon ose po bën.
Uluni ballë për ballë
Në nivelin e syve të tij, fëmija i sheh më mirë fytyrën, buzët dhe gjestet tuaja.
Lini kohë për përgjigje
Pritni disa sekonda pasi të pyesni ose të thoni diçka. Pauza i jep fëmijës hapësirë të marrë pjesë.
Zgjeroni atë që thotë fëmija
Nëse fëmija thotë “top”, ju mund të thoni “top i madh” ose “e hodhe topin”.
Lexoni së bashku çdo ditë
Shikoni figurat, emërtoni objektet, bëni pyetje dhe lëreni fëmijën t’i kthejë faqet.
Përshkruani rutinat
Gjatë larjes, ngrënies ose veshjes, emërtoni veprimet dhe objektet me fjali të thjeshta.
Ofroni zgjedhje
Pyetjet si “Do mollë apo banane?” i japin fëmijës arsye dhe model për të folur.
Këndoni dhe luani me tinguj
Këngët, vjershat dhe lojërat me rima e pasurojnë dëgjimin dhe vetëdijen për tingujt.
Materiale për shkarkim
Udhëzues dhe materiale praktike.
Materialet për shkarkim do të publikohen së shpejti.
Udhëzues, materiale për prindër dhe ushtrime komunikimi në format PDF do të shtohen këtu sapo të përgatiten nga ekipi ynë.
Terminologji logopedike
Fjalorth i logopedisë.
Termat që hasen më shpesh në logopedi, të shpjeguar në gjuhë të kuptueshme.
21 terma
- AAC
- Komunikimi alternativ dhe augmentativ: mënyra dhe mjete që e plotësojnë ose e zëvendësojnë të folurin, si gjestet, simbolet dhe pajisjet që prodhojnë të folur.
- Afazia
- Vështirësi e fituar në gjuhë, zakonisht pas një dëmtimi të trurit, që mund të prekë të folurit, kuptimin, leximin dhe shkrimin.
- Apraksia e të folurit
- Vështirësi në planifikimin dhe programimin e lëvizjeve të nevojshme për të folur, edhe kur muskujt nuk janë të dobësuar.
- Artikulimi
- Prodhimi i saktë i tingujve përmes lëvizjeve të buzëve, gjuhës, nofullës dhe qiellzës.
- Belbëzimi
- Çrregullim i rrjedhshmërisë që shfaqet me përsëritje, zgjatje ose bllokime të tingujve dhe rrokjeve, shpesh i shoqëruar me tension.
- Çrregullimi zhvillimor i gjuhës (DLD)
- Vështirësi të qëndrueshme në zhvillimin e gjuhës, që ndikojnë në jetën e përditshme dhe nuk shoqërohen me një gjendje të njohur biomjekësore, si humbja e dëgjimit, autizmi ose aftësia e kufizuar intelektuale.
- Disartria
- Çrregullim motorik i të folurit që vjen nga dobësia ose mungesa e koordinimit të muskujve që përdoren për të folur.
- Disfagia
- Vështirësi në gëlltitje, e cila mund të prekë sigurinë dhe efikasitetin e ngrënies dhe të pirjes.
- Disfonia
- Ndryshim në cilësinë, lartësinë, intensitetin ose qëndrueshmërinë e zërit.
- Fonologjia
- Sistemi i tingujve të një gjuhe dhe rregullat se si ata kombinohen për të krijuar kuptime.
- Gjuha
- Sistemi i fjalëve, rregullave dhe kuptimeve që përdorim për të kuptuar të tjerët dhe për t’u shprehur.
- Gjuha ekspresive
- Aftësia për ta përdorur gjuhën për t’u shprehur: me fjalë, fjali dhe tregime.
- Gjuha receptive
- Aftësia për ta kuptuar gjuhën: fjalët, udhëzimet, pyetjet dhe tregimet.
- Higjiena vokale
- Zakone dhe sjellje që ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të zërit.
- Intervenimi i hershëm
- Mbështetje që ofrohet gjatë viteve të para të jetës për fëmijët me vështirësi ose me rrezik për vështirësi në zhvillim.
- Komunikimi
- Procesi i shkëmbimit të informatave, mendimeve dhe ndjenjave, me fjalë ose pa fjalë: përmes gjesteve, shprehjeve të fytyrës, shkrimit ose mjeteve të tjera.
- Logopedia
- Disiplina shkencore dhe profesionale që merret me parandalimin, vlerësimin dhe trajtimin e vështirësive të komunikimit, gjuhës, të folurit, zërit dhe gëlltitjes.
- Pragmatika
- Përdorimi i gjuhës në kontekste sociale: fillimi i bisedës, respektimi i radhës dhe përshtatja e mesazhit sipas situatës.
- Praktika e bazuar në evidencë
- Qasje që ndërthur evidencën më të mirë shkencore, ekspertizën klinike dhe vlerat e preferencat e individit.
- Rrjedhshmëria
- Vazhdimësia, ritmi dhe lehtësia e të folurit.
- Të folurit
- Prodhimi motorik i tingujve të gjuhës, që përfshin frymëmarrjen, zërin, artikulimin dhe rrjedhshmërinë.
Kalendari i ndërgjegjësimit
Ditët që na kujtojnë rëndësinë e komunikimit.
Ditë ndërkombëtare të lidhura me komunikimin, dëgjimin, zërin, autizmin, gjendjet neurologjike dhe logopedinë. Datat ndjekin kalendarët zyrtarë të organizatave përkatëse.
Janar
Pa data të shënuara
Shkurt
- 21 shkurtDita Ndërkombëtare e Gjuhës AmtareNderon diversitetin gjuhësor dhe rëndësinë e gjuhës amtare për identitetin, mësimin dhe komunikimin.UNESCO
Mars
- 3 marsDita Botërore e DëgjimitRikujton rëndësinë e kujdesit për dëgjimin dhe të kontrolleve në kohë, sepse dëgjimi lidhet ngushtë me zhvillimin e gjuhës.Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)
- 6 marsDita Evropiane e LogopedisëNgre vetëdijen për vështirësitë e komunikimit dhe të gëlltitjes dhe për rolin e logopedëve në gjithë Evropën.ESLA, Shoqata Evropiane e Logopedisë (ish-CPLOL)
- 21 marsDita Botërore e Sindromës DownPromovon të drejtat, përfshirjen dhe mirëqenien e personave me sindromën Down.Down Syndrome International, e njohur nga OKB
Prill
- 2 prillDita Botërore e Ndërgjegjësimit për AutizminThekson rëndësinë e pranimit, përfshirjes dhe mbështetjes së personave në spektrin e autizmit.Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)
- 11 prillDita Botërore e ParkinsonitRrit ndërgjegjësimin për sëmundjen e Parkinsonit, e cila mund të ndikojë edhe në zë, në të folur dhe në gëlltitje.Parkinson’s Europe
- 16 prillDita Botërore e ZëritKushtohet shëndetit të zërit dhe rëndësisë së kujdesit për të në jetën e përditshme dhe në profesion.Iniciativë ndërkombëtare e profesionistëve të zërit
Maj
Pa data të shënuara
Qershor
Pa data të shënuara
Korrik
- 22 korrikDita Botërore e TruritKushtohet shëndetit të trurit dhe parandalimit të sëmundjeve neurologjike.Federata Botërore e Neurologjisë (WFN)
- 27 korrikDita Botërore e Kancerit të Kokës dhe QafësRrit ndërgjegjësimin për kancerin e kokës dhe qafës, i cili mund të ndikojë në zë, në të folur dhe në gëlltitje.Federata Ndërkombëtare e Shoqatave të Onkologjisë së Kokës dhe Qafës (IFHNOS)
Gusht
Pa data të shënuara
Shtator
- 8 shtatorDita Ndërkombëtare e Shkrim-LeximitThekson rëndësinë e shkrim-leximit për arsimin, pjesëmarrjen dhe zhvillimin e çdo individi.UNESCO
- 21 shtatorDita Botërore e AlzheimeritRrit ndërgjegjësimin për demencën dhe ndikimin e saj në kujtesë, në gjuhë dhe në komunikim.Alzheimer’s Disease International
- 23 shtatorDita Ndërkombëtare e Gjuhëve të ShenjaveThekson rëndësinë e gjuhëve të shenjave për të drejtat dhe përfshirjen e personave të shurdhër.Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)
Tetor
- 6 tetorDita Botërore e Paralizës CerebraleBashkon komunitetin global në mbështetje të personave me paralizë cerebrale dhe të familjeve të tyre.Rrjeti ndërkombëtar i Ditës Botërore të Paralizës Cerebrale
- E premtja e tretë e tetoritDita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për DLDRrit vetëdijen për çrregullimin zhvillimor të gjuhës (DLD), një vështirësi e shpeshtë, por shpesh e padukshme.RADLD
- Gjatë gjithë tetoritMuaji i Ndërgjegjësimit për AACPromovon komunikimin alternativ dhe augmentativ si mjet për pjesëmarrje dhe si të drejtë për të komunikuar.ISAAC
- 22 tetorDita Ndërkombëtare e Ndërgjegjësimit për BelbëziminSynon ta rrisë kuptimin për belbëzimin dhe të informojë se mbështetja profesionale është e qasshme.ISA, ELSA dhe IFA
- 29 tetorDita Botërore e Insultit CerebralThekson parandalimin, njohjen e shenjave dhe rehabilitimin pas insultit cerebral, përfshirë rehabilitimin e komunikimit.Organizata Botërore e Insultit Cerebral (WSO)
Nëntor
Pa data të shënuara
Dhjetor
- 3 dhjetorDita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të KufizuaraPromovon të drejtat, përfshirjen dhe pjesëmarrjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara.Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB)
Burime shkencore
Literaturë dhe organizata të besueshme.
- 01
Zubler, J. M., Wiggins, L. D., Macias, M. M. et al. (2022). Evidence-Informed Milestones for Developmental Surveillance Tools. Pediatrics, 149(3), e2021052138.
Baza e pikave të zhvillimit të përdorura në udhërrëfyesin sipas moshës.
Hap burimin(hapet në dritare të re) - 02
Bishop, D. V. M., Snowling, M. J., Thompson, P. A., Greenhalgh, T. dhe CATALISE-2 consortium (2017). Phase 2 of CATALISE: a multinational and multidisciplinary Delphi consensus study of problems with language development: Terminology. Journal of Child Psychology and Psychiatry, 58(10), 1068–1080.
Konsensus ndërkombëtar për terminologjinë e vështirësive gjuhësore, përfshirë DLD.
Hap burimin(hapet në dritare të re) - 03
Paradis, J., Genesee, F. dhe Crago, M. B. (2021). Dual Language Development and Disorders (bot. 3). Brookes Publishing.
Referencë kryesore për zhvillimin gjuhësor te fëmijët dygjuhësh.
- 04
World Health Organization (2001). International Classification of Functioning, Disability and Health (ICF). Gjenevë: WHO.
Kuadër që e sheh funksionimin dhe pjesëmarrjen e personit në tërësi.
- 05
American Speech-Language-Hearing Association (ASHA). Practice Portal.
Udhëzime profesionale të bazuara në evidencë për fushat e logopedisë.
Hap burimin(hapet në dritare të re) - 06
Royal College of Speech and Language Therapists (RCSLT).
Organizata profesionale e logopedëve në Mbretërinë e Bashkuar, me burime për publikun dhe profesionistët.
Hap burimin(hapet në dritare të re) - 07
ESLA, European Speech and Language Therapy Association (ish-CPLOL).
Organizata evropiane e shoqatave të logopedëve.
Hap burimin(hapet në dritare të re)
Keni një shqetësim konkret? Le të flasim.
Materialet edukative ofrojnë orientim, por çdo situatë është unike. Një konsultim profesional ju ndihmon të kuptoni hapat e duhur për ju ose për fëmijën tuaj.
